

TIRANË – Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat e vazhdueshme në kryeqytet mund të kenë mbi sektorin e turizmit, në kulmin e sezonit veror.
Në një intervistë për emisionin “E-Zone”, Gonxhja deklaroi se Shqipëria kishte hyrë në sezonin turistik me tregues shumë pozitivë, të konfirmuar edhe nga statistikat e muajit maj, të cilat sipas tij shënuan rritje rekord të numrit të vizitorëve të huaj.
“Shifrat e muajit maj na kanë konfirmuar se ardhjet e turistëve të huaj kanë qenë në nivele rekord, me rritje dyshifrore. Rezervimet janë kryer prej kohësh dhe situata paraqitej krejtësisht normale. Megjithatë, tashmë po përballemi me protesta që nuk i shërbejnë sektorit të turizmit”, u shpreh ministri.
Sipas Gonxhes, operatorët turistikë kanë raportuar shtim të interesimit dhe shqetësimeve nga turistët e huaj, të cilët po kërkojnë informacione mbi situatën në vend dhe nivelin e sigurisë.
“Përmes kontakteve me operatorët e fushës, kemi konstatuar se nga platformat e rezervimeve po vijnë pyetje të shumta lidhur me atë që po ndodh në Shqipëri. Turistët interesohen nëse situata është e sigurt, nëse rrugët janë të kalueshme dhe nëse mund të lëvizin normalisht gjatë qëndrimit të tyre. Këto paqartësi krijojnë një perceptim pasigurie që nuk i shërben imazhit të vendit”, tha ai.
Ministri theksoi se pasiguria e krijuar nga zhvillimet e fundit mund të ndikojë negativisht në një sektor që konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Edhe përfaqësues të industrisë së turizmit kanë shprehur shqetësim për situatën, duke vlerësuar se turistët ndërkombëtarë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj klimës politike dhe sociale në vendet që zgjedhin të vizitojnë.
Protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e tretë, ndërsa organizatorët deklarojnë se tubimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






