

TIRANË – Partia Socialiste do të zhvillojë nesër një seri mbledhjesh të rëndësishme, në një moment të ngarkuar politik pas zhvillimeve të fundit brenda radhëve të saj.
Sipas burimeve, në orën 09:30 është parashikuar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, ndërsa në orën 10:00 pritet të mblidhet edhe grupi parlamentar i mazhorancës.
Këto zhvillime vijnë pas njoftimit të deputetes së Qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, e cila deklaroi largimin nga grupi parlamentar socialist dhe vijimin e mandatit si deputete e pavarur.
Koçeku nuk ka qenë e pranishme as në aktivitetet festive të 34-vjetorit të Partisë Socialiste, të zhvilluara në sheshin “Italia” në Tiranë, duke shtuar vëmendjen mbi qëndrimin e saj politik në ditët e fundit.
Në deklaratën e saj publike, ajo theksoi se bindjet dhe vlerat personale mbeten të pandryshuara dhe se ato kanë përcaktuar gjithmonë kufijtë e angazhimit të saj politik.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, ka deklaruar Koçeku.
Zhvillimet e fundit vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa në vend vijojnë edhe protestat kundër qeverisë në disa qytete.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






