

LONDËR / TIRANË – Pesë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Angli, në kuadër të një bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe autoriteteve britanike, përmes njësisë kombëtare të të kërkuarve të National Crime Agency.
Sipas dokumenteve gjyqësore të Gjykatës së Magjistraturës së Westminster-it në Londër, arrestimet janë kryer gjatë një periudhe katërjavore dhe lidhen me procedura ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ndër personat e ndaluar është Renato Hasani, 37 vjeç, i cili dyshohet për përfshirje në konspiracion për shitje të lëndëve narkotike dhe që ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Në pranga ka rënë edhe Murat Mehmeti, 62 vjeç, i cili më herët është dënuar për falsifikim dokumentesh. Ai kishte shmangur ekzekutimin e dënimit me burg duke mos respektuar detyrimet e vendosura nga gjykata dhe aktualisht po ndjek procesin e ekstradimit në gjendje të lirë me kusht, pas vendosjes së garancisë financiare.
Mes të arrestuarve figuron gjithashtu Gëzim Çela, 37 vjeç, i dyshuar për përfshirje në trafikun e 46 kilogramëve lëndë narkotike drejt Kosovës në bashkëpunim me persona të tjerë.
Një tjetër i arrestuar është Andi Hoxha, 23 vjeç, i cili akuzohet se ka shkaktuar një aksident fatal në vitin 2022 në zonën e Fushë Krujës.
Ndërkohë, Kostandino Tahiri, 30 vjeç, ka pranuar para gjykatës ekstradimin e tij vullnetar drejt Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Prokuroria britanike CPS, në përfaqësim të interesave të palës shqiptare, ka paraqitur gjithashtu kërkesë për apel ndaj një vendimi që kishte bllokuar më herët ekstradimin e disa personave të tjerë të kërkuar në lidhje me hetime për një ngjarje të rëndë kriminale në Shqipëri.
Autoritetet vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e të ndaluarve, ndërsa bashkëpunimi mes strukturave shqiptare dhe britanike mbetet në zhvillim për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






