

TIRANË – Deputetja e Qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur edhe me nofkën “Neomalsorja”, ka njoftuar largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur.
Lëvizja e saj është pritur me reagime në protestën që po zhvillohet prej ditësh përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarët kanë shprehur mbështetje për vendimin dhe e kanë ftuar publikisht t’i bashkohet tubimit.
Organizatorët e protestës e kanë cilësuar largimin e saj si një zhvillim domethënës politik, duke deklaruar se ai mund të shënojë fillimin e një zinxhiri ndryshimesh brenda mazhorancës.
“Duhet të rrimë në shesh, ata do të bien si gurë dominoje. Ne vlerësojmë vendimin e marrë nga deputetja Marjana Koçeku, por kjo është vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër është të vijë në shesh e të këndojë me ne ‘Rama jepe dorëheqjen’. Do të jemi këtu derisa të mbetet vetëm, deri kur të jetë në qeli”, u shpreh një prej organizatorëve të tubimit.
Largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit.
Zhvillimi i saj politik po ndiqet me vëmendje nga opinion publik dhe aktorët politikë, pasi konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm brenda radhëve të mazhorancës në këtë periudhë të trazuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






