

TIRANË – Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar protestat e fundit të zhvilluara në vend, ku është kërkuar dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje këtij të fundit të tërhiqet nga drejtimi i qeverisë.
Në një intervistë për A2 CNN, Malaj u shpreh se vendimi për të qëndruar ose jo në detyrë i takon vetë kryeministrit, por paralajmëroi se këmbëngulja për të vijuar qeverisjen mund ta afrojë vendin me modele gjithnjë e më autoritare të ushtrimit të pushtetit.
“Largohet apo jo Rama, këtë e përcakton ai vetë. Por çdo këmbëngulje e tij, për mua, është një vetëkalim në veprime që afrohen jo thjesht me autokracinë, por me një qëndrim neodiktatorial”, deklaroi Malaj.
Ish-ministri shtoi se përvoja historike ka treguar se liderët që përqendrojnë pushtetin dhe refuzojnë largimin nuk kanë pasur përfundime të suksesshme politike, ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë për një klimë më të qetë dhe më bashkëpunuese.
Sipas tij, tensionet politike dhe përçarjet sociale që kanë karakterizuar debatin publik në vitet e fundit po ndikojnë negativisht në jetën e vendit dhe në marrëdhëniet mes qytetarëve.
“Është koha të largohet. Ai nuk bën dot më asgjë të mirë për Shqipërinë. Kjo klimë përçarjeje sociale, tensionet mes shqiptarëve, mes palëve politike dhe grupeve të ndryshme nuk i shërbejnë vendit”, u shpreh Malaj.
Deklaratat e ish-ministrit vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, ndërsa debati politik mbi drejtimin e vendit dhe përgjegjësitë e mazhorancës mbetet i ndezur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






