

MYNIH, GJERMANI – Qindra emigrantë shqiptarë janë mbledhur në Mynih të Gjermanisë për të shprehur mbështetjen ndaj protestave që po zhvillohen prej më shumë se dy javësh në Tiranë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Tubimi u organizua pranë kampusit universitar të Universitetit Ludwig Maximilian, ku protestuesit shpalosën pankarta dhe mesazhe që pasqyronin pakënaqësitë e tyre ndaj situatës politike në Shqipëri.
Një prej pankartave më të spikatura mbante mesazhin: “Ti ndërton kulla, ne mbajmë plagë. Ti shet Shqipërinë, ne mbajmë flamurin lart. Nga Mynihu po vjen vendimi, Rama ik, ka folur mërgimi”.
Gjatë protestës u dëgjuan edhe thirrje të ngjashme me ato të artikuluara në demonstratat e zhvilluara në Tiranë, përfshirë sloganet “Rama, jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe mesazhe të tjera me përmbajtje politike.
Protestuesit shprehën qëndrimet e tyre edhe ndaj institucioneve evropiane. Në një prej pankartave u paraqit një fotografi e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me kryeministrin Edi Rama, e shoqëruar me mesazhin: “Ndaloni mbështetjen ndaj regjimit kriminal”.
Tubimi në Mynih konsiderohet si një shprehje solidariteti e diasporës shqiptare me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke reflektuar interesimin e emigrantëve për zhvillimet politike në vendin e origjinës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






