Transmetuar më 14-06-2026, 17:45

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se planifikon të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit brenda tre deri në katër muajve të ardhshëm, ndërsa vendi po përballet me një klimë të tensionuar politike pas muajsh protestash masive.

Sipas mediave serbe, Vuçiç konfirmoi se synon të tërhiqet nga presidenca, por theksoi se ende nuk është përcaktuar nëse Serbia do të zhvillojë vetëm zgjedhje të parakohshme presidenciale apo njëkohësisht edhe zgjedhje parlamentare. Ai bëri të ditur se vendimi përfundimtar do të merret nga institucionet kompetente shtetërore.

Në të njëjtën kohë, presidenti serb njoftoi se Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila drejton vendin, do të organizojë një tubim të madh më 27 qershor në Beograd. Gjatë këtij aktiviteti pritet të prezantohen emri i listës zgjedhore, sloganet e fushatës dhe një pjesë e programit politik me të cilin partia do të garojë në zgjedhjet e ardhshme.

Deklaratat e Vuçiç vijnë në një periudhë trazirash politike dhe sociale në Serbi, të nxitura nga protestat e udhëhequra nga studentët. Demonstratat shpërthyen pas tragjedisë së ndodhur në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e një tende shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Lëvizja studentore, e cila ka qenë në krye të protestave, në maj të vitit të kaluar kërkoi zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe paralajmëroi pjesëmarrjen në garë me një listë të pavarur zgjedhore.

Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë ndjeshëm në skenën politike serbe, ndërsa vendi po hyn në një periudhë të re përgatitjesh elektorale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit