

Tiranë, 14 qershor 2026 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masat e sigurisë për pesë nga personat e arrestuar në kuadër të megaoperacionit të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që goditi dy grupe të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në seancën e verifikimit të masave, gjykata la në fuqi masën “arrest në burg” për Orgest Birçajn, Dritan Agan, Edmond Jaupin dhe Orest Sotën, të cilët akuzohen si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e mbi 6.7 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, GJKKO vendosi lirimin nga qelia për Gëzim Islamin, duke caktuar ndaj tij masën “detyrim paraqitjeje” dhe garanci pasurore në vlerën e 100 mijë eurove, për arsye shëndetësore.
Seanca gjyqësore nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për disa orë, pasi avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore. Më pas, procesi vijoi në praninë e kreut të SPAK, Altin Dumani, prokurores Elida Kaçkini dhe gjyqtares Flojera Davidhi.
Sipas hetimeve, dyshohet se në krye të grupeve kriminale qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, ndërsa rrjeti kriminal shtrihej nga laboratorët e kokainës në Ekuador dhe Kolumbi deri në magazina në Belgjikë e Holandë. Droga dyshohet se fshihej në ngarkesa me qymyr, fruta dhe sojë për t’u trafikuar në Europë.
Në dosje përmendet edhe roli i Orgest Birçajt, pronar i kompanisë “Top Seven”, i dyshuar për organizimin e dërgimit të punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve në Amerikën Latine përmes agjencive të udhëtimit, si dhe përfshirja e personave të tjerë në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes.
Operacioni i 12 qershorit rezultoi me lëshimin e 20 masave sigurie, përfshirë arrestime dhe persona në kërkim. Autoritetet kanë sekuestruar vila, llogari bankare, automjete luksoze dhe prona në disa qytete bregdetare dhe urbane në Shqipëri, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera të dyshuara si produkt i aktivitetit kriminal.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






