Transmetuar më 14-06-2026, 11:13

Tiranë, 14 qershor 2026 – Eralbi Breçani, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Breçani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së SPAK, në kuadër të hetimeve që u zhvilluan mbi bazën e komunikimeve të siguruara nga aplikacione të koduara, të cilat sipas prokurorisë lidhen me veprimtari kriminale.

Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim me persona të tjerë, në kuadër të një organizate kriminale, si dhe në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet e SPAK e lidhin Breçanin me rrjete të trafikut ndërkombëtar të kokainës, që dyshohet se operonin në linjën nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve kryesore të Europës.

Pas mbërritjes në Shqipëri, Eralbi Breçani do t’i nënshtrohet procedurave ligjore dhe procesit gjyqësor për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit