

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot qëndrimet e tij mbi disa prej çështjeve më të rëndësishme të aktualitetit në rubrikën “Shënimet e Javës”, duke u ndalur te protestat e fundit, ndikimi i tyre në turizëm, 35-vjetori i Partisë Socialiste, integrimi europian, arsimi profesional dhe transparenca buxhetore.
Rama shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si një klimë tensioni dhe presioni në debatet publike, duke paralajmëruar se protestat dhe fushatat në rrjetet sociale po ndikojnë negativisht në sezonin turistik.
Sipas tij, operatorët turistikë në Vlorë dhe Durrës kanë raportuar anulime rezervimesh nga turistët e huaj, një fenomen që, sipas kreut të qeverisë, mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë familjare, ekonominë lokale dhe ekonominë kombëtare.
“Këtë vit parashikohet të jetë sezoni më i suksesshëm ndonjëherë, por nëse anulimet vazhdojnë, atëherë rrezikojmë ta sabotojmë vetë këtë sukses”, u shpreh Rama.
Ai kritikoi gjithashtu fenomenin e bullizmit në rrjetet sociale, duke përmendur rastin e këngëtarit Ylli Limani, i cili sipas tij është përballur me presione dhe fyerje për shkak të një koncerti të organizuar në Tiranë.
Kryeministri i cilësoi këto sjellje si shfaqje të një “fryme fashiste”, duke theksuar se askush nuk duhet t’u imponojë të tjerëve mënyrën se si të mendojnë, të jetojnë apo të shprehin mendimet e tyre.
Duke folur për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Rama tha se Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë të historisë së saj moderne dhe se progresi i arritur në ekonomi, institucione dhe marrëdhënie ndërkombëtare lidhet drejtpërdrejt me qeverisjen socialiste.
Ai e konsideroi këtë përvjetor si një moment reflektimi, por edhe si një pikënisje për objektiva të reja, duke nënvizuar se vendi është tashmë në fazën më të avancuar të procesit të integrimit europian.
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Rama ia kushtoi arsimit profesional. Ai theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me një kërkesë gjithnjë e më të lartë për specialistë dhe profesionistë të kualifikuar, ndërsa arsimi profesional po shndërrohet në një nga rrugët kryesore drejt punësimit.
Sipas tij, rreth 67 për qind e të rinjve që përfundojnë arsimin profesional punësohen menjëherë, ndërsa në sektorë të caktuar si turizmi, shkalla e punësimit arrin në 100 për qind.
Në fund, kreu i qeverisë u ndal te transparenca buxhetore, duke vlerësuar renditjen e Shqipërisë si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor sipas Anketës së Buxhetit të Hapur 2025.
Rama theksoi se Shqipëria ka kaluar nga 38 pikë në vitin 2015 në 64 pikë në vitin 2025 për transparencën buxhetore, duke e cilësuar këtë si rezultat të reformave, digjitalizimit dhe rritjes së standardeve të raportimit.
Sipas tij, transparenca mbetet një element kyç për forcimin e besimit të qytetarëve dhe të investitorëve ndërkombëtarë, ndërsa objektivi i ardhshëm është arritja e standardeve mesatare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
E plotë/ Reflektim
Nga Edi Rama
Këto shënime dua t’i nis me një reflektim parathënës lidhur me disa simptoma, të cilat më shqetësojnë dhe duhet të shqetësojnë këdo që është i interesuar që gjërat të shkojnë më mirë në Shqipëri, jo të shkojnë më keq.
Dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë, një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante, nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë më mirë, absolutisht, por, ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat, më e keqja vjen për Shqipërinë.
Dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla apo që u bënë të vjetra. Këtu kam parasysh, prurjet që vijnë nga territore të tjera, se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë, që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste, sepse Vlora masivisht atje e do zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen, por do ta lë pikëpyetje.
Dhe, duke shkuar në Vlorë, dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike, e cila po forcohet dita-ditës: anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj.
Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: “Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.
Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi. Domethënë, nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë, ato para që do të hyjnë normalisht me një sezon turistik të qetë, atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo.
Nëse ka një axhendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe, përmes pengesës, për të krijuar një frustrim dhe pastaj për t’i bërë njerëzit që të thonë: “Hajde se po e heqim këtë qeveri, vetëm që të na lini rehat”, atëherë kjo është një axhendë që është jo e re. Është një axhendë që është përdorur në vende të tjera, është një axhendë që është përdorur dhe këtu nga molotovarët, por që nuk ka për të funksionuar. Dëmi, patjetër që do të jetë i madh, edhe i panevojshëm, sipas meje.
Një tjetër simptomë shumë e neveritshme është bullizmi ndaj njerëzve në Facebook, në Instagram.
Kam parë me shumë keqardhje se si një këngëtar si Ylli Limani, një këngëtar i dashur për një masë njerëzish, – nuk është këngëtari im i preferuar, unë i përkas një brezi tjetër dhe jetoj me të tjera dëshira që lidhen me muzikën, por është një këngëtar shumë i respektuar, shumë i preferuar, që ka bërë një koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, – e kanë “masakruar” me sharje, me presione, me kërcënime për të anuluar koncertin dhe për të mos i dhënë njerëzve kënaqësinë që të kenë një moment të bukur muzike, sepse njerëzit do të fokusohen tek protesta.
Dhe kjo po ndodh me shumë njerëz, edhe me ata që kanë një opinion tjetër thjesht dhe shkruajnë postim dhe marrin të shara dhe marrin kërcënime, të cilat flasin për atë që unë e kam thënë që është ditën e parë në këtë konglomerat, në këtë mozaik, ku ka njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, ku ka patjetër njerëz, që kanë vetëm qëllime të mira, ka dhe një komponentë fashiste, një frymë fashiste. Dhe fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë “delja e zezë” e Europës për vite, vite të tëra pastaj. “Greqia është e grekëve”, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera.
Fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.
Të tjerët duhet të çohen nga kafet, të tjerët nuk duhet të shkojnë në koncert, të tjerët nuk duhet të shkojnë në plazh, të tjerët nuk duhet të punojnë, të tjerët nuk duhet të marrin të mirat materiale nga puna e tyre, sepse duhet të jenë pjesë e kësaj gjëje”. Fryma fashiste është kur nuk do të dish fare dhe, patjetër që, kjo është një komponente shumë e rrezikshme e protestës. Por këto simptoma, lidhen drejtpërdrejt me dy gjëra që janë të panegociueshme për një shoqëri demokratike dhe për shoqërinë shqiptare dhe për vendin, që është nevoja për rritje ekonomike, nevoja për më shumë të ardhura dhe turizmi, është një burim kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm dhe këtë vit parashikohet të jetë një sezon më i suksesshmi ndonjëherë, por, nëse kjo situatë do të vazhdojë dhe nëse anulimet do të vazhdojnë, ky nuk do të jetë një sezon i suksesshëm. Ky do jetë një sezon i sabotuar nga vetë ne, nga vetë ne, një gjë e paimagjinueshme, por që faktikisht mund të ndodhi, dhe simptomat janë.
Dhe tjetra: është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur!
35 vjet Parti Socialiste – mes zhurmës së protestave dhe rrugës europiane
Ndërkohë që për të vazhduar me shënimet e javës, 35 vjet Parti Socialiste, një kremtim i planifikuar prej kohësh, që u kurorëzua me 12 qershorin, në një moment të veçantë, sepse jo thjesht është një ditëlindje dhe një përvjetor, por është një moment që e gjen Shqipërinë më mirë se Shqipëria ka qenë ndonjëherë në çdo aspekt dhe kjo falë Partisë Socialiste dhe qeverive të saj. Ndërkohë që, nga ana tjetër, është një moment edhe reflektimi dhe angazhimi, sepse Shqipëria është më mirë se ç’ka qenë ndonjëherë, por Shqipëria duhet të bëhet ende shumë më mirë se ç’është. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste, mund ta bëjë vetëm kjo fuqi e madhe shtetndërtuese, me të gjitha vështirësitë dhe me të gjitha të metat e veta. Ironikisht, ky 35-vjetor ose më saktë, për një koincidence që mbase është edhe një shenjë e rëndësishme për t’u ndalur një moment, për të marrë frymë dhe për të kuptuar se çfarë duhet të mësojmë nga kjo valë protestash që përkoi me këtë 35-vjetor debatesh dhe nga kjo frymë, si të thuash e tensionuar, fatmirësisht paqësisht që ka pushtuar hapësirën publike ditët e fundit. Një frymë që ushqehet edhe nga fakti që, për shkak në këtë subjekt fillestar, në këtë çështje që u bë çështja, që inicioi protestën, natyrisht si rezultat i një akti skandaloz, që u dënua menjëherë edhe ligjërisht, edhe institucionalisht, qëndron familja e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo bën që të gjithë ata që janë kundërshtarë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të jenë të interesuar për këtë protestë, që Shqipëria të bëhet një platformë ku të përplasen forca shumë të mëdha, të përplaset opozita amerikane me presidentin e Amerikës, përplaset kundërshtia europiane me presidentin e Amerikës, të përplasen interesa të tjera që e duan Shqipërinë të ripozicionuar ndryshe dhe të bëhet një udhëkryq ku, faktikisht, kundërshtia e fillimit kthehet në një gjë krejt tjetër. Dhe Shqipëria përmbytet nga një shpërthim i të gjitha kanaleve të keqinformimit, të dezinformimit, të gjysmë të vërtetave që bëhen gënjeshtra gjithmonë e më të mëdha, orë pas ore, dhe që faktikisht i vendosin faktet në cep dhe fantazinë në qendër.
Natyrisht që protesta është shëmbëlltyrë e një vendi demokratik. Natyrisht që është shëndeti demokratik i vendit që ka një protestë e cila lind dhe formësohet jo rreth partive, jo pas partive. Edhe pse tani partitë janë të gjitha të futura aty, duke hedhur gurët, e fshehur duart disa, ndërkohë që ndonjë tjetër, siç janë llapaqorrat, janë aty.
Por po aq e rëndësishme është që të mos humbasim aftësinë për të dalluar mes debatit dhe histerisë, mes kritikës dhe shpifjes, mes argumentit pasionant dhe bullizmit, kërcënimit, presionit, denigrimit të tjetrit. Shqipëria nuk mund të ecë përpara, duke u paralizuar nga frika prej një ndryshimi të madh, prej një projekti të madh, prej një investimi që është më i madhi në historinë e vendit tonë.
Dhe, patjetër që, do të ecim përpara, duke dëgjuar çfarë duhet të dëgjojmë, duke mësuar nga çfarë na thonë ata që nuk janë dakord me ne, por duke vazhduar të ndërtojmë, të ndërtojmë Shqipërinë me forcën e Partisë Socialiste, që është forca që ka marrë reforma, ka ndërmarrë reforma të vështira, ka shtyrë përpara procese që shpesh janë kundërshtuar, por që sot kanë ndryshuar rrënjësisht edhe gjendjen, edhe pozicionin e Shqipërisë. Dhe, për këtë, mjafton të kthejmë mbrapa kokën, jo më shumë, po 10 vjet, dhe për të parë se ku ishim në raport me botën, në raport me ekonominë, me institucionet, me të gjitha. Dhe, faktikisht, nuk ka simbolikë më të fortë se fakti që ky 35-vjetor na gjeti edhe në pikën më të avancuar të rrugës sonë europiane. Pak javë më parë hymë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësim, që është faza e mbylljes së kapitujve, duke afruar më shumë se kurrë me atë objektiv historik dhe strategjik që shqiptarët e kanë ndjekur me dekada dhe që ne e kemi fiksimin tonë ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë.
Arsimi profesional dhe beteja për specialistët që kërkon ekonomia e re
Edhe një shënim tjetër. Këtë javë mora pjesë në një konferencë, e treta kombëtare e arsimit dhe formimit profesional, ku u diskutua gjerësisht për sfidën që përcakton edhe një pjesë të mirë të suksesit të ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme: kapitalin njerëzor. Sot Shqipëria nuk ka më për problemin e mungesës së investimeve. Përkundrazi, sot Shqipëria përballet me gjithmonë e më shumë investime dhe gjithmonë e më shumë nevojë për specialistë, teknikë, profesionistë të kualifikuar, sepse këto investime kërkojnë kapital njerëzor të kualifikuar nga turizmi i nivelit të lartë, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika apo shërbimet e tjera bashkëkohore. Kërkesa për fuqi të kualifikuar rritet me ritme shumë më të shpejta sesa oferta. Pikërisht për këtë arsye, arsimi profesional merr gjithnjë e më shumë një rol strategjik. Nëse dikush shihej si një ngushëllim për ata që ishin më të lodhurit dhe nuk arrinin dot as ta mendonin derën universitetit, sot ai është bërë një nga dy rrugët dhe është madje një rrugë me garanci të mëdha drejt punësimit dhe karrierës. Këtë e shpjegon fakti që, jo vetëm numri i nxënësve është rritur, por edhe që 67% e atyre që mbarojnë arsim profesional punësohen menjëherë. Ndërkohë që, në disa fusha, siç është, për shembull, turizmi 100%, 100% e atyre që bëjnë arsim profesional punësohen.
Dhe objektivi ynë është shumë i qartë: që të shtyjmë përpara një projekt të nisur vite më parë për ta bërë arsimin profesional anën tjetër të medaljes së arsimit në Shqipëri dhe t’ju japim mundësi të gjithë atyre që investojnë që të mbështeten në burime njerëzore të kualifikuara. Shqipëria e para në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore
Dhe pika e fundit për sot, shënimi i fundit, është një tjetër vlerësim për Shqipërinë si vendi lider në Ballkanin Perëndimor. Për çfarë? Për transparencën buxhetore.
Një vlerësim ndërkombëtar domethënës: Anketa e Buxhetit të Hapur 2025, e realizuar nga partneriteti ndërkombëtar për buxhetin, që e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore.
Një rezultat i rëndësishëm që mat një nga elementët themelorë të mirëqeverisjes: sa i hapur është shteti ndaj qytetarëve në mënyrën se si mbledh, administron dhe shpenzon fondet publike.
Nga 38 pikë në vitin 2015, Shqipëria është 64 pikë në vitin 2025, pra thuajse dyfishin. Shqipëria ka shënuar progresin më të madh historik në këtë tregues, krahasuar me vendet e tjera. Ka më shumë rëndësi fakti, madje, se nuk bëhet fjalë për një përmirësim të rastësishëm, por për një rezultat të një dekade reformash, digjitalizimi, rritje standardesh të raportimit dhe forcimit të mekanizmave llogaridhënës. Dhe, në një kohë kur vendi po afrohet në Bashkimin Europian dhe po tërheq investime gjithnjë më të mëdha ndërkombëtare, transparenca nuk është vetëm një standard demokratik, ai është një kusht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për besimin. Natyrisht, kemi nevojë të bëjmë më shumë në këtë drejtim dhe kemi nevojë të rritemi më shumë. Dhe këtë e bëjmë duke vazhduar punën dhe duke synuar, jo më vendin e parë në rajon, por nivelin mbi mesatar të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






