Transmetuar më 14-06-2026, 09:43

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në kryeqytet, ku një punonjës policie është gjetur i pajetë në banesën e tij në zonën e Freskut.

Sipas informacionit zyrtar të bërë publik nga Policia e Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:25 të ditës së sotme, 14 qershor 2026.

Viktima është identifikuar si shtetasi me inicialet I. S., 30 vjeç, i cili shërbente si efektiv policie. Sipas të dhënave të para, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës duke përdorur armën e shërbimit.

Mësohet se pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur grupet hetimore, të cilat kanë nisur veprimet për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se hetimet po kryhen nga grupi hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë kompetente.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë dhe se pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike. Njoftimi zyrtar:

“Më datë 14.06.2026, rreth orës 01:25, në Fresk, në banesë, dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasi I. S., 30 vjeç, punonjës policie. Grupi hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit