

PRISHTINË, 14 Qershor 2026 – Numërimi i votave të diasporës po rezulton vendimtar në përforcimin e pozicionit të Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka arritur në 51 mandate parlamentare pas procesimit të një pjese të votave me postë.
Sipas të dhënave të deritanishme, janë numëruar rreth 20 për qind e votave të ardhura nga diaspora, ku Vetëvendosje ka siguruar mbi 69 për qind të mbështetjes. Kjo i ka mundësuar subjektit fitues të zgjedhjeve të shtojë tre mandate krahas rezultatit të votimit të rregullt në Kosovë, duke kaluar nga 48 në 51 ulëse në Kuvend.
Mandatet shtesë janë marrë kryesisht në kurriz të Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërkohë, sipas përditësimeve më të fundit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka humbur një mandat, duke zbritur nga tetë në shtatë deputetë.
Nëse trendi aktual i votimit nga diaspora vazhdon edhe gjatë numërimit të pjesës së mbetur të votave, Vetëvendosje mund të sigurojë edhe një mandat shtesë.
Sipas rezultateve të përgjithshme të publikuara deri më tani, Vetëvendosje kryeson me 44.6 për qind të votave. PDK renditet forcë e dytë me 20.5 për qind, ndërsa LDK mban vendin e tretë me 17.26 për qind. AAK ka siguruar pak më pak se 7 për qind të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora, ndërsa deri tani janë procesuar afro 11 mijë prej tyre.
Për krijimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota parlamentare. Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






