

BRAZIL, 14 Qershor 2026 – Në ditën e debutimit të Brazilit në Kupën e Botës, presidenti i vendit, Luiz Inácio Lula da Silva, i ka dërguar një mesazh motivues trajnerit të kombëtares, Carlo Ancelotti, duke i kërkuar ekipit të luajë me vendosmëri dhe të synojë vetëm fitoren.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit brazilian theksoi rëndësinë e unitetit dhe harmonisë brenda skuadrës, duke nënvizuar se futbollistët duhet të përfaqësojnë me krenari popullin brazilian.
“Ajo që ka rëndësi është vendosmëria, kohezioni dhe harmonia e ekipit. Lojtarët duhet të jenë të motivuar dhe të luajnë duke menduar për popullin brazilian, i cili ka nevojë për një fitore. Nëse ke sukses, Ancelotti, do të bëhesh heroi ynë”, deklaroi Lula.
Presidenti brazilian përsëriti gjithashtu ambicien e lartë të vendit në turneun më të madh të futbollit botëror.
“Ti ke ekipin, por në Kupën e Botës nuk konkurron, por fiton. Ne nuk shkojmë për të konkurruar, ne shkojmë për të fituar”, u shpreh ai.
Mesazhi i Lulës vjen në një moment kur pritshmëritë e tifozëve brazilianë janë të mëdha për përfaqësuesen, e cila synon të rikthehet në majën e futbollit botëror nën drejtimin e Ancelottit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






