

Policia italiane ka arrestuar në provincën e Bolonjës një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar dhe ishte dënuar përfundimisht në Shqipëri për trafikim të qenieve njerëzore.
Arrestimi u krye më 8 qershor nga efektivët e Skuadrës Mobile të Bolonjës, në kuadër të një operacioni më të gjerë kundër aktiviteteve të paligjshme dhe trafikut të lëndëve narkotike në territorin e provincës.
Sipas autoriteteve italiane, i kërkuari u identifikua në Casalecchio di Reno, ku tërhoqi vëmendjen e policisë për shkak të sjelljes së tij të dyshimtë. Gjatë kontrollit, ai paraqiti një pasaportë dhe një patentë drejtimi shqiptare që në pamje të parë dukeshin të rregullta.
Megjithatë, policët vunë re menjëherë mospërputhje në deklaratat e tij. Burri shfaqej i nervozuar, nuk ishte në gjendje të jepte me saktësi datën e lindjes dhe fotografia në dokumentet e paraqitura nuk përputhej me pamjen e tij reale.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan se dokumentet i përkisnin një personi tjetër dhe se ai po përpiqej të fshihte identitetin e tij të vërtetë për t’iu shmangur drejtësisë.
Pas shoqërimit në Komisariatin e Policisë dhe kryerjes së verifikimeve daktiloskopike, autoritetet identifikuan se bëhej fjalë për një shtetas shqiptar të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Vetë ai pranoi se ishte në dijeni të situatës së tij ligjore dhe se duhej të vuante një dënim të gjatë me burg.
Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar u konfirmua ekzistenca e një njoftimi të kuq të Interpolit, të lëshuar në vitin 2018 pas një vendimi të autoriteteve shqiptare.
Nga dokumentacioni rezultoi se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Tiranë për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet, 10 muaj e 19 ditë burg.
Përveç arrestimit për qëllime ekstradimi, 41-vjeçari është proceduar edhe për deklarim të rremë të identitetit ndaj policisë italiane. Autoritetet sekuestruan dokumentet që ai përdorte për të fshehur identitetin e tij.
Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Bolonjës u njoftua menjëherë për rastin dhe nisi procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Bolonjës ka vleftësuar si të ligjshëm arrestimin dhe ka dhënë miratimin për ekstradimin e tij në vendin e origjinës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






