

Tiranë, 13 qershor 2026 – Është mbyllur protesta e 14-të e qytetarëve para Kryeministrisë, pjesë e një serie tubimesh që zhvillohen çdo ditë në orën 18:00 në kryeqytet.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët ngritën shqetësime që lidhen me sigurinë, emigracionin, kushtet sociale dhe të drejtat e grupeve vulnerabël.
Gjatë protestës së sotme, e cilësuar nga organizatorët si protesta e dytë kombëtare, morën fjalën edhe shqiptarë të ardhur nga emigracioni, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për kauzën e protestuesve.
Mes folësve ishte edhe Florina Cani, nëna e Martin Canit, 14-vjeçarit që humbi jetën pas një ngjarjeje të rëndë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ajo kërkoi më shumë siguri për fëmijët dhe drejtësi për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre.
Në podium foli gjithashtu një qytetar me aftësi të kufizuara, i cili ngriti shqetësime për mungesën e mbështetjes institucionale dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuara.
Një nga momentet simbolike të protestës ishte vendosja e dhjetëra palë këpucëve përpara Kryeministrisë, të cilat protestuesit i konsideruan si simbol të qytetarëve që kanë emigruar dhe janë larguar nga Shqipëria.
Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, duke vijuar traditën e ditëve të mëparshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






