

Tiranë, 13 qershor 2026 – Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët e fushës kanë sqaruar se udhëzuesi klinik për trajtimin hormonal të personave transgjinorë është hartuar për profesionistët e shëndetësisë dhe synon ofrimin e një kujdesi të standardizuar dhe cilësor, në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
Gjatë një takimi me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, deklaroi se gjatë periudhës maj-qershor nuk është paraqitur asnjë kërkesë apo rekomandim për trajtim me terapi hormonale.
Nga ana e saj, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, theksoi se udhëzuesi nuk përbën një politikë të re shëndetësore, por një dokument teknik për personelin mjekësor. Ajo sqaroi gjithashtu se trajtimi hormonal parashikohet vetëm për persona të rritur dhe se barnat përkatëse nuk janë pjesë e skemës së rimbursimit.
Sipas Tominit, garantimi i aksesit të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët mbetet një nga standardet e kërkuara në procesin e integrimit europian.
Në takim mori pjesë edhe drejtoresha e Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re, e cila theksoi se rekomandimet e Këshillit të Europës u kërkojnë vendeve anëtare të sigurojnë shërbime shëndetësore pa diskriminim për të gjithë qytetarët.
Debati mbi udhëzuesin klinik ka ngjallur diskutime publike gjatë javëve të fundit, ndërsa institucionet shëndetësore kanë theksuar se dokumenti synon vetëm orientimin profesional të mjekëve në trajtimin e rasteve specifike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






