

Tiranë, 13 qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me thirrjet për bojkotimin e koncertit të këngëtarit Ylli Limani dhe komentet kritike që qarkulluan në rrjetet sociale pas performancës së tij në Tiranë.
Rama e cilësoi këtë fenomen si një formë të papranueshme dhune online, duke e lidhur atë me klimën që, sipas tij, po shoqëron protestat e zhvilluara në bulevard. Ai u shpreh se po shtohen rastet e presionit, kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj personave që nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me protestuesit.
“Nuk e njoh Ylli Limanin dhe nuk e dëgjoj muzikën e tij, por dhunën online ndaj tij, thirrjet për bojkot dhe kërcënimet pas suksesit të koncertit të tij i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po shfaqet gjithnjë e më shumë në hapësirën publike”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se protesta është një e drejtë themelore demokratike që duhet respektuar, por shtoi se askush nuk duhet të përballet me intimidim apo presion për shkak të bindjeve të tij.
Në reagimin e tij, Rama kritikoi gjithashtu thirrjet që, sipas tij, synojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët që nuk i bashkohen protestave, duke paralajmëruar se gjuha e përjashtimit dhe stigmatizimit mund të dëmtojë klimën demokratike në vend.
Sipas tij, demokracia nuk forcohet përmes kërcënimeve dhe etiketimeve, por përmes debatit, argumentit dhe respektimit të mendimit ndryshe.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






