Transmetuar më 13-06-2026, 19:40

Tiranë, 13 qershor 2026 – Në protestën e zhvilluar këtë të shtunë para Kryeministrisë, ka marrë fjalën edhe Florina Cani, nëna e Martin Canit, e cila kërkoi drejtësi për djalin e saj dhe për të gjithë fëmijët që, sipas saj, kanë humbur jetën padrejtësisht.

Mes emocionesh, ajo u shpreh se ishte bashkuar me protestuesit për të ngritur zërin jo vetëm për djalin e saj, por edhe për të gjithë shqiptarët që kërkojnë siguri dhe drejtësi.

“Vendosa të bashkohem me ju dhe të ngre zërin për fëmijën tim dhe për shqiptarët kudo që janë. Duam siguri. E çova djalin në shkollë dhe nuk m’u kthye më. Kam 18 muaj që protestoj dhe më mbushet zemra kur shoh kaq shumë të rinj në shesh. Duam drejtësi”, tha ajo para protestuesve.

Në fjalën e saj, Cani përmendi edhe raste të tjera tragjike të humbjes së jetëve të të rinjve, duke theksuar se shumë familje vijojnë të përballen me dhimbje të mëdha për shkak të mungesës së sigurisë dhe institucioneve funksionale.

“Jam një nënë që jetoj çdo ditë me dhimbjen. Sot ngre zërin edhe për fëmijët e tjerë që nuk janë më. Ata meritonin të jetonin. Ne kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi”, deklaroi ajo.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa protesta kundër ndërtimit në Zvërnec dhe kundër qeverisë vijoi me thirrje dhe pankarta të ndryshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit