Transmetuar më 13-06-2026, 14:46

MELBOURNE, AUSTRALI – Një i burgosur shqiptar i akuzuar për trafik droge është arratisur në mënyrë spektakolare gjatë pjesëmarrjes në funeralin e vëllait të tij në Melbourne, duke u zhdukur pa lënë gjurmë dhe duke sfiduar autoritetet australiane.

Sipas mediave australiane, Orijol Rukaj, 47 vjeç, ndodhet në arrati prej gjashtë javësh pasi arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së efektivëve që e shoqëronin gjatë ceremonisë mortore.

Policia e shtetit të Viktorias bëri të ditur se funeralit i ishin bashkuar dhjetëra persona për t’i dhënë lamtumirën të ndjerit, çka dyshohet se krijoi kushtet që Rukaj të largohej pa u vënë re nga autoritetet.

I burgosuri ishte lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore nën masa sigurie, por pas përfundimit të saj nuk u kthye më në institucionin penitenciar.

Autoritetet australiane e konsiderojnë Rukajn një person me rrezikshmëri të lartë. Sipas policisë, ai është i akuzuar për transport dhe trafik droge dhe dyshohet se ka lidhje me grupe të organizuara kriminale shqiptare që veprojnë në Australi.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kontrolluar dhe ka marrë në pyetje persona të afërt dhe bashkëpunëtorë të dyshuar në rreth 20 adresa të ndryshme në zonën e Melbourne. Hetuesit besojnë se 47-vjeçari vazhdon të fshihet brenda zonës metropolitane të qytetit.

Policia ka identifikuar gjithashtu disa persona që dyshohet se kanë ndihmuar në planifikimin e arratisjes, por sipas autoriteteve ata ndodhen aktualisht jashtë Australisë. Një person u ndalua në aeroportin e Melbourne në lidhje me çështjen, por më pas u lirua pa u ngritur akuza.

Operacioni për kapjen e shqiptarit vijon, ndërsa autoritetet australiane kanë shpërndarë informacion dhe apel për bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit