

TIRANË – Kursimet e qytetarëve në fondet private të pensioneve pritet të përfitojnë më shumë mbrojtje dhe transparencë, pas ndryshimeve të propozuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në ligjin “Për fondet e pensionit privat”.
Projektligji, i cili është nxjerrë për konsultim publik, synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimi Europian për pensionet private, duke forcuar mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e kursimeve afatgjata të qytetarëve.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është ndarja e plotë e aseteve të fondeve të pensionit nga aktivitetet e tjera të shoqërive administruese. Kjo masë synon të garantojë që fondet e kontribuuesve të mos përdoren për qëllime të tjera dhe të minimizohet rreziku i humbjes së kursimeve.
Projektligji parashikon gjithashtu standarde më të forta për administrimin e fondeve, duke vendosur kërkesa më të larta për kontrollin e brendshëm, menaxhimin e rrezikut, qeverisjen korporative dhe auditimin e pavarur. Sipas AMF-së, këto masa do të rrisin sigurinë financiare dhe qëndrueshmërinë e skemave private të pensioneve.
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me transparencën ndaj kontribuuesve. Anëtarët e fondeve do të marrin informacion më të detajuar dhe më të rregullt mbi ecurinë e kursimeve të tyre, tarifat që aplikohen, politikat e investimit dhe performancën e fondeve ku kontribuojnë.
Ndryshimet forcojnë edhe kompetencat mbikëqyrëse të AMF-së, e cila do të ketë më shumë instrumente për kontroll, inspektim dhe ndërhyrje në rast të shkeljeve apo rreziqeve që mund të cenojnë interesat e kontribuuesve.
Projektligji hap gjithashtu rrugën për zhvillimin e pensioneve profesionale sipas praktikave europiane, duke krijuar mundësi të reja për punonjësit dhe për bashkëpunim ndërkufitar në rastet kur qytetarët punojnë ose kontribuojnë në vende të ndryshme.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë të rrisin besimin e publikut te sistemi privat i pensioneve dhe të krijojnë një kuadër më të sigurt për menaxhimin e kursimeve afatgjata të qytetarëve shqiptarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






