

TIRANË – Dosja hetimore e SPAK ka zbuluar një skemë të dyshuar të pastrimit të parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në një truall të njohur si “toka e Juveniles”, pranë stadiumit “Air Albania” në kryeqytet.
Sipas materialeve hetimore, disa persona nën hetim, përfshirë Adrian Rama, Artur Shehu, Elton Memeti, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, dyshohet se kanë kryer veprime juridike të maskuara, si kontrata dhurimi dhe transaksione të ndryshme financiare, me qëllim zhvillimin e pronës dhe sigurimin e një lejeje ndërtimi.
Hetimet sugjerojnë se struktura e dyshuar kriminale ka përdorur forma të ndryshme transferimi pronash për të fshehur origjinën e kapitalit dhe për të lehtësuar zhvillimin e projektit ndërtimor në zonë.
Në dosje përmenden edhe komunikime të përfituara nga aplikacioni i enkriptuar SKY ECC, ku disa prej të dyshuarve diskutojnë blerje sipërfaqesh toke dhe ndarje pronash në këtë zonë, si dhe pritshmëritë për përfitime të mëdha nga ndërtimi i ardhshëm.
Sipas hetuesve, një nga bisedat e analizuara tregon diskutime për blerjen e rreth 300 metrave katrorë tokë për një shumë rreth 100 mijë euro, si dhe ndarje të mëtejshme të pronës në disa pjesë për zhvillim të mëvonshëm.
Në dosje thuhet gjithashtu se për të siguruar lejen e ndërtimit janë zhvilluar takime brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Spanjën dhe Arubën, ndërsa hetimet përmendin edhe përpjekje për të marrë informacion mbi ecurinë e hetimeve nga autoritetet.
Sipas SPAK, procesi i zhvillimit të pronës është penguar pas sekuestrimit të një pjese të pasurive në vitin 2021, ndërsa vijojnë verifikimet mbi rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën e përdorimit të strukturave ligjore për maskimin e transaksioneve.
Hetimet mbi rastin vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi vlerën e plotë të përfshirjes financiare apo dëmet e shkaktuara.
Pjesë nga dosja hetimore:
Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikimeve të kryera rezulton se personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti janë përfshirë në kryerje të veprimeve fillimisht për të zhvilluar pronën, më pas në veprime juridike të maskuara me dhurim, me qëllim që me lidhjet e tyre të mund të nxirrnin leje ndërtimi. Për këtë fakt, rezultuar të dhënave të dërguara nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit, në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë.
Nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi që është bërë për pjesën ideale që subjekti Denis Matoshi kishte përfituar me anë të dhurimit, kërkesë e cila ishte dërguar për konfiskim, si dhe fakti që nuk është arritur të revokohej kontrata e lidhur më parë, si dhe pavarësisht këtyre fakteve, grupi kriminal, nëpërmjet personit nën hetim Adrian Rama, ndjek veprimet e kryera edhe në kuadër të ndërtimit të Shkollës së Biçikletave dhe sipas komunikimeve që ai kryen, ai për zhvillimin e saj është në pritje të planeve të zhvillimit.
AIMCSV-7B9F5E: dhe nje gje.ajo toka te juvenilia kan ber gati kontraten.do kalojne 150 m2 ne emrin time.dhe duan nje 50.dhe mbsi te mbaroj kjo.do bejne prape te njeten gje per 150 tjete total 300 per 100 evro
AIMCSV-7B9F5E: po besua ma siguroj qe do ndertohet aty.se i tha rama.dhe toka aty vlene se fitom ne dertim shum fare.
AIMCSV-7B9F5E: kete e kan me certifikate kushurite e adit capricos
Aktualisht në lidhje me këtë prone nuk janë përftuar të dhëna nëse për token janë kryer kryer veprime të tjera për zhvillim të saj, marrë parasysh edhe karakterin sekret të hetimeve, hetim i zhvilluar pa kryer hetime të hapura.
Për të siguruar nxjerrjen e kësaj leje ndërtimi në këtë truall e referuar si "toka tek juvenilja” janë zhvilluar një sërë takimesh ndërmjet personave nën hetim përfshi këtu dhe personin nën hetim Alfredo Hamzai, të rezultuara nga të dhënat e dërguara nga letërporositë belge dhe spanjolle.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






