Transmetuar më 13-06-2026, 13:02

ELBASAN – Një zbulim i ri arkeologjik është bërë në qytetin antik të Scampis, ku gjatë gërmimeve të fundit në bazilikën paleokristiane është nxjerrë në dritë një mozaik i panjohur më parë, duke shtuar të dhëna të rëndësishme për historinë e monumentit.

Sipas arkeologëve që po punojnë në terren, gjetja përbën një element me vlerë të lartë shkencore, i cili ndihmon në kuptimin më të plotë të zhvillimit të bazilikës gjatë shekujve V dhe VI pas Krishtit. Mozaiku konsiderohet pjesë e një prej fazave të rindërtimit të objektit kulti, i cili ka pësuar ndërhyrje të shumta gjatë periudhës paleokristiane.

Gërmimet kanë treguar se bazilika ka kaluar të paktën dy faza të rëndësishme rindërtimi, të shoqëruara me ndryshime arkitektonike dhe artistike, përfshirë edhe vendosjen e elementeve të reja dekorative me mozaikë.

Sipas specialistëve, këto gjetje hedhin dritë jo vetëm mbi historinë e objektit fetar, por edhe mbi zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të qytetit antik të Scampis, një nga qendrat më të rëndësishme të periudhës romake dhe paleokristiane në territorin e Shqipërisë së sotme.

Bazilika paleokristiane e Scampis është zbuluar rreth dy dekada më parë dhe prej asaj kohe ka qenë objekt studimesh të vazhdueshme arkeologjike. Megjithatë, monumenti ende nuk është i hapur për publikun, për shkak të mungesës së investimeve për konservim dhe infrastrukturë turistike.

Arkeologët theksojnë se nevojiten fonde shtesë për ruajtjen dhe ekspozimin e gjetjeve, në mënyrë që zona të kthehet në një destinacion të vizitueshëm për turistët dhe studiuesit, pa rrezikuar dëmtimin e strukturave dhe mozaikëve të zbuluar.

Zbulimi i fundit konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në dokumentimin e trashëgimisë së pasur historike të Scampis, mbi të cilin është ndërtuar qyteti i sotëm i Elbasanit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit