

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protestat e opozitës nuk duhet të ndikohen nga slogane apo qëndrime që, sipas tij, mund të errësojnë “pamjen madhështore” të tubimeve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se protestat nuk përfaqësojnë vetëm partitë politike, por një spekter më të gjerë qytetarësh, përfshirë të rinj dhe qytetarë që nuk kanë qenë më parë të angazhuar politikisht.
“Aty ka qytetarë që nuk kanë qenë kurrë në parti politike, ka të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë në forumet e partive politike,” u shpreh ai, duke shtuar se pjesëmarrja është e gjerë dhe përtej kufijve partiakë.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë si “autoritare” dhe duke pretenduar se mitingu i fundit i tij, sipas tij, ka shënuar “fundin e partisë së krimit”.
“E patë mitingun e tij të djeshëm? Ishte një miting funebër,” tha Berisha, duke shtuar se Partia Socialiste, sipas tij, është e lidhur me krimin dhe ka ndërtuar një sistem mbi të.
Ai gjithashtu kritikoi grupime që i cilësoi si “opozita e opozitës”, duke i quajtur ato të papërfillshme dhe, sipas tij, të përdorura për të dekurajuar protestat.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin protestat, duke theksuar se ato, sipas tij, përfaqësojnë “uraganin qytetar” dhe reagimin e ndërgjegjes publike në vend.
NJOFTIM PËR SHTYP
Berisha: Disa slogane të opozitës së opozites nuk duhet të errësojnë pamjen madhështore të protestës. Antimitingu i Ramës shënoi fundin e partisë së krimit
Mos harroni se ajo protestë është tej partive politike. Në atë protestë ka qytetarë që nuk kanë qenë kurrë në parti politike, ka të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë në forumet e partive politike, por ka edhe dhjetëra, qindra, mijëra anëtarë të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të majta dhe natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë, kurse një palë tjetër mund të mos i pëlqejë. Por nuk duhet të jetë kurrë ato që të errësojnë pamjen madhështore, misionin e madh të kësaj proteste. Ndaj dhe ai që i thotë vetes shqiptar dhe e do këtë vend, duhet të mendojë se si ta ndihmojë suksesin e kësaj proteste. Mos harroni një gjë, Edi Rama është një diktator autoritar, qeveris në stilin e etërve të tij. Do më falni, e patë mitingun e tij të djeshëm? Çfarë ishte ai? Ai aty lexoi elegjinë e vetes së tij, mitingu ishte një miting funebër, de facto për të gjithë ata që i ndjekin, ai miting shënoi fundin e partisë së krimit. E një partie që u themelua në krim. E një partie që shndërroi krimin në sistem. E një partie që vazhdon krimin në të gjitha aspektet. Ndaj dhe ata qytetarë kanë nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e çdo shqiptari. Nuk duhet që slogane me protagonistë opozitën e opozitës apo grupime të caktuara të dekurajojnë… Në asnjë mënyrë. Opozita e opozitës është vegël e qeverisë, por u garantoj se nuk është asgjë tjetër vetëm si ajo miza në shpinën e kalit, siç thotë Denis Diderot, që beson se e tërheq karrocën. Por atë karrocë e tërheqin, atë uragan e tërheq përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






