Transmetuar më 13-06-2026, 12:50

Mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare janë mbledhur në Kishën e Shna Ndout në Laç për të kremtuar Natën e Madhe të Shna Ndout, duke përmbyllur kështu pelegrinazhin tradicional 13-javor që zhvillohet çdo vit në këtë vend të shenjtë.

Kulmi i kremtimeve u arrit mbrëmjen e 12 qershorit, kur qindra besimtarë vendosën të kalojnë natën pranë kishës në lutje, reflektim dhe përkushtim shpirtëror, në pritje të ditës së festës së Shna Ndout më 13 qershor.

Të krishterë dhe myslimanë nga zona të ndryshme të vendit vazhdojnë ta konsiderojnë Kishën e Shna Ndout si një vend të veçantë besimi, ku kanë gjetur paqe shpirtërore, shpresë dhe forcë për të përballuar sfidat e jetës. Për këtë arsye, shumë prej tyre rikthehen çdo vit për të bërë lutje dhe për të falënderuar për bekimet që besojnë se kanë marrë.

“Më fal Zoti fëmijë mbas pesë vitesh. Kam besim shumë të lartë”, tha një besimtar.

“Më ka zgjidhur shumë shumë problem ky vend i shenjtë”, u shpreh një tjetër pelegrin.

“Isha shumë e sëmurë vjet edhe qaja vetëm qaja. Të nesërmen, një ditë pas isha këtu, isha shumë mirë”, tregoi një besimtare.

“Vetëm i lumtur ai që beson. Ishalla Zoti ja bën mbarë të gjithëve”, uroi një tjetër besimtar.

Kisha e Shna Ndout në Laç vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme të pelegrinazhit fetar në Shqipëri. Çdo vit, ritualet e pelegrinazhit nisin në mesin e muajit mars, me të martën e parë të pelegrinazhit, dhe zgjasin për 13 javë radhazi, deri më 13 qershor, ditën kur kremtohet festa e Shna Ndout.

Gjatë kësaj periudhe, mijëra njerëz ngjiten në kodrën e Laçit për t’u lutur, për të kërkuar ndihmë hyjnore dhe për të ripërtërirë besimin e tyre. Kjo traditë shumëvjeçare vazhdon të bashkojë besimtarë të feve të ndryshme, duke e kthyer Kishën e Shna Ndout në një simbol të rëndësishëm të besimit dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit