Transmetuar më 13-06-2026, 12:38

TIRANË / FIER / LUSHNJË – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Stolen Gold”, gjatë të cilit është goditur një skemë kriminale e dyshuar për trafikimin dhe tregtimin e sendeve me vlerë të vjedhura jashtë vendit, kryesisht në Itali dhe Greqi.

Sipas njoftimit zyrtar, autorët dyshohet se siguronin sende me vlerë në këto dy shtete, i kontrabandonin në Shqipëri dhe më pas i tregtonin në disa argjendari në qytetet Fier dhe Lushnjë.

Si rezultat i operacionit, është arrestuar një 27-vjeçar, ndërsa një 45-vjeçar është shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 7 administratorë argjendarish.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme ari dhe sendesh me vlerë, përfshirë 15 kg e 259 gram ar, 4 kg e 281 gram argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, si dhe sende të tjera të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore. Po ashtu janë sekuestruar edhe para në lekë e euro, telefona celularë, DVR dhe prova të tjera materiale.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit është ndaluar edhe shtetasi Demirel Sinaj, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar kriminal.

Autoritetet po punojnë për të përcaktuar edhe vlerën përfundimtare të sendeve të sekuestruara, e cila paraprakisht konsiderohet shumë e lartë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit