

I penduari i drejtësisë, Erion Alibeaj është marrë në pyetje lidhur me njohjet e tij me personat për të cilët u shpall arresti nga SPAK ditën e premte. Alibeaj, ndër të tjera, ka deklaruar se lidhur me personin nën hetim Ilir Shtufi (e njeh si biznesmen, njohje kjo e cila është kryer me pikë kontakti Artur Koçekun, pasi Arturi në shumicën e kohës qëndronte me Ilir Shtufin), dhe se për të ka mësuar se ai ishte një biznesmen i hershëm në fushën e ndërtimit, para se të njihej me Artur Koçekun, fakt të cilin deklaron se ka dijeni pasi ka qëndruar në bisedat e tyre të përbashkëta.
Burime për MCN bëjnë me dije se sipas Alibeajt, Ilir Shtufi në periudhën që ka lidhur shoqëri me Artur Koçekun ka pasur rritje të aktivitetit të tij ekonomik, ku bën me dije se më parë kishte pasur borxhe, të cilat i ishin vendosur nga persona të ndryshëm, si edhe kishte pasur probleme me shitjen e pasurive nga dy herë, si edhe borxhe për moslikuidim të lëndëve të para të ndërtimit.
Sipas Alibeajt, në këtë kohë shtetasi Artur Koçeku i është afruar Shtufit dhe e ka ndihmuar me shuma monetare cash, duke mundur të paguajë borxhet e mospagesave të faturave, të mbyllë problemet me drejtësinë për apartamentet/dyqanet që i shiste dy herë, dhe emri i Arturit të largojë gjobëvënësit, fakt të cilin ka deklaruar se e ka mësuar nga diskutimet e shoqërisë së përbashkët, por edhe në komunikimet e tij me Arturin.
Në vijim, dëshmitari i drejtësisë Erion Alibeaj ka deklaruar se, lidhur me lidhjen e Arturit (Luigiano Koçeku) me shtetasin Ilir Shtufi në ndërtimet e kryera, ia ka komunikuar edhe personalisht Artur Koçeku se po investonte në ndërtim me të, dhe se në bashkëpunim me të, duke e financuar cash në shuma monetare të larta- fakt për të cilin ka dijeni edhe shoqëria e përbashkët- pasi Artur Koçeku sillej si një pronar në objektet që ndërtoheshin nga Ilir Shtufi, si edhe për faktin se më vonë këta persona dhe të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikëve kanë futur lekë cash tek Ilir Shtufi në objekte të caktuara të ndërtuara prej tij.
Kujtojmë se ditën e premte, SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit zhvilluan një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash, duke lëshuar 20 masa sigurie. Ndër të arrestuarit ishte Orest Sota dhe Ilir Shtufi (i cili u arrestua në Selanik pas njoftimit të SPAK); ndërsa për biznesmenin Artur Shehu u lëshua masa “arrest me burg”. Masa sigurie u lëshuan gjithashtu për Abedin Koçekun, Artur (Luçian) Koçekun e disa të tjerë, ndërsa deri tani janë sekuestruar rreth 160 milionë euro kesh, kompani dhe ndërtesa.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






