Transmetuar më 13-06-2026, 12:18

TIRANË – Bordi i Transparencës ka vendosur sot, më 13 qershor 2026, çmimet tavan të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës, të cilat do të hyjnë në fuqi në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës.

Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin standard SSH EN 590 është përcaktuar në 183 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 171 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 170 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 158 lekë për litër.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut se zbatimi i këtij vendimi është i detyrueshëm, ndërsa në rast shkeljesh do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Bordi sqaron gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, çmimet aktuale janë nën pragjet e përcaktuara ligjore për aktivizimin e skemës së reduktimit të akcizës, ndaj do të vijojë të aplikohet niveli i plotë prej 100% të saj.

Ndërkohë, për gazoilin për peshkim, çmimi është llogaritur në 88 lekë për litër, në përputhje me legjislacionin në fuqi, i cili parashikon përjashtime nga taksat dhe akciza për anijet e peshkimit sipas kushteve të përcaktuara ligjore.

Vendimi i Bordit synon, sipas autoriteteve, të stabilizojë tregun dhe të parandalojë abuzimet me çmimet në sektorin e karburanteve.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës në datë 13 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 183 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 171 lekë/litër. ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 170 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 158 lekë/litër. 🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 13 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. ⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. 🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. 🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 88 lekë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit