

Situata është tensionuar këtë të shtunë në zonën e Rrjollit, ku banorët kanë vijuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik që po zhvillohet në këtë zonë bregdetare.
Protestuesit janë drejtuar drejt kantierit të punimeve dhe kanë rrëzuar rrethimin metalik të vendosur përreth projektit, duke hyrë më pas brenda territorit ku po zhvillohen punimet. Në vendngjarje kanë qenë të pranishme forcat e policisë, ndërsa nuk kanë munguar momentet e tensionit mes protestuesve dhe efektivëve.
Banorët kundërshtojnë prej muajsh projektin turistik, duke pretenduar se toka ku po ndërtohet resorti është pronë e trashëguar nga familjet e tyre dhe se çështja e pronësisë nuk është zgjidhur ende. Për këtë arsye, ata kanë depozituar edhe një kërkesë zyrtare pranë Prokurorisë, ku kërkojnë verifikimin e dokumentacionit dhe një zgjidhje ligjore sa më të shpejtë për pronësinë e tokës në Rrjoll.
Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka deklaruar se projekti po zbatohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për vijimin e investimit.
Ndërkohë, banorët paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e tyre deri në sqarimin përfundimtar të çështjes së pronësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






