Transmetuar më 13-06-2026, 11:30

Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë fazës së katërt të operacionit të koduar “Zonat”, i cili synon goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.

Sipas Policisë, në pranga janë vënë E.S., 45 vjeç, I.D., 54 vjeç dhe F.Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës me një sasi të konsiderueshme kokaine që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen.

Nga hetimet paraprake rezulton se tre të arrestuarit siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdha dhe më pas e shpërndanin në doza në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në “Ish-Park” dhe “Brryl”.

Po ashtu, gjatë operacionit u arrestua edhe E.D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në disa zona të kryeqytetit. Policia e kapi në ambientet e subjektit ku punonte, ku u gjetën doza të gatshme për shitje dhe një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Në total, gjatë operacionit u sekuestruan mbi 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në më shumë se 200 doza të gatshme për tregtim. Gjithashtu, u sekuestruan dy peshore elektronike, katër telefona celularë dhe një shumë parash.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Njoftimi i plotë: Tiranë/Finalizohet faza e 4-t e operacionit të koduar “Zonat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 4 shtetas që shitnin lëndë narkotike Kokainë, në zona të ndryshme në Tiranë.

Sekuestrohen mbi 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë (një pjesë e ndarë në mbi 200 doza), 2 peshore elektronike, shuma parash dhe 4 celularë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për raste të shitjes së Kokainës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, fazën e 4-t të operacionit të koduar “Zonat”. Si rezultat, u vunë në pranga shtetasit:

-E. S., 45 vjeç, I. D., 54 vjeç dhe F. Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës, me sasi të lëndës të dyshuar narkotike Kokainë, që i posedonin me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme dhe më pas e shitnin në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonat e quajtura “Ish-parku” dhe “Brryli”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë dhe 2 peshore elektronike.

-E. D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza Kokaine, në disa zona në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë (e ndarë në mbi 220 doza) dhe një shumë parash, që i posedonte ky shtetas, në ambientet e subjektit ku punonte.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit