

VELIPOJË – Banorët e zonës së Baks-Rrjollit në Velipojë kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në një sipërfaqe toke për të cilën pretendojnë të drejta pronësie. Reagimi i tyre vjen pas rrethimit të truallit me tela me gjemba nga investitori, një veprim që ka rritur tensionet mes palëve.
Prej afro një viti, banorët kanë kundërshtuar projektin, duke pretenduar se pronat e tyre janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tyre, një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka manipuluar dokumentacionin e pronësisë, duke përvetësuar truallin dhe më pas duke ia shitur kompanisë që synon të ndërtojë resortin turistik pranë bregdetit të Velipojës.
Situata është përshkallëzuar që nga janari i këtij viti, kur kompania ndërtuese nisi punimet paraprake dhe sistemimin e zonës me mjete të rënda. Që prej asaj kohe, banorët kanë organizuar protesta të vazhdueshme, të cilat në disa raste janë shoqëruar me përplasje fizike me punonjësit e kompanisë dhe rojet private të kontraktuara për ruajtjen e kantierit.
Përplasjet kanë sjellë edhe shoqërime e procedime penale ndaj disa banorëve, ndërsa punimet në terren kanë vijuar pavarësisht kundërshtimeve dhe hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Shkodrës.
Banorët e Baks-Rrjollit e konsiderojnë çështjen një konflikt të hapur pronësie dhe prej dy javësh i janë bashkuar edhe protestave të organizuara në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore dhe mbrojtjen e asaj që ata e cilësojnë si pronë private të përvetësuar padrejtësisht.
Ndërkohë, hetimet mbi pretendimet për tjetërsimin e pronave vijojnë, ndërsa banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat deri në sqarimin përfundimtar të statusit juridik të tokave në zonë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






