Transmetuar më 13-06-2026, 11:20

Autoritetet shëndetësore kanë sqaruar përmbajtjen e udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal, një dokument që synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë në ofrimin e kujdesit të standardizuar për personat e rritur që kërkojnë trajtim hormonal në kuadër të tranzicionit gjinor.

Gjatë një takimi të grupit të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, u theksua se udhëzuesi është hartuar sipas standardeve europiane dhe ka si qëllim garantimin e një trajtimi etik, profesional dhe të bazuar në praktikat më të mira mjekësore.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, deklaroi se procesi i integrimit europian kërkon respektimin e standardeve për mbrojtjen nga diskriminimi, garantimin e të drejtave të njeriut dhe aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët. Sipas saj, këto parime janë reflektuar edhe në legjislacionin shqiptar dhe në planet kombëtare të veprimit që lidhen me mbrojtjen dhe përfshirjen e personave LGBTI.

Nga ana e saj, zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se udhëzuesi klinik i referohet vetëm personave të rritur dhe nuk parashikon financim apo rimbursim të barnave hormonale nga shteti. Ajo theksoi se dokumenti shërben si një orientim profesional për mjekët dhe specialistët e shëndetit.

Sipas autoriteteve, trajtimi hormonal nuk do të aplikohet automatikisht, por do të kalojë përmes vlerësimeve dhe procedurave të përcaktuara nga profesionistët e shëndetësisë, bazuar në standardet e përfshira në udhëzues.

Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë pranë QSUT-së, Agron Ylli, bëri të ditur se gjatë periudhës maj–qershor 2026 nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rekomandim ose trajtim hormonal në këtë shërbim. Përfaqësues të Këshillit të Europës në Shqipëri theksuan se institucioni ka mbështetur procesin që nga viti 2023, duke monitoruar zbatimin e tij në përputhje me rekomandimet dhe standardet europiane. Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re, deklaroi se aksesi në kujdesin shëndetësor të përshtatshëm është një e drejtë themelore dhe se shtetet anëtare duhet të garantojnë shërbime shëndetësore pa diskriminim për të gjithë qytetarët.

Sipas saj, masat e ndërmarra në kuadër të Planit të Veprimit për personat LGBTI përfaqësojnë zbatimin e angazhimeve të Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian, duke synuar forcimin e politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe respekt për çdo qytetar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit