Transmetuar më 13-06-2026, 10:40

SHKODËR – Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Sibuel Durrësi, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, pas një ngjarjeje të ndodhur më 7 qershor, ku ai dyshohet se tentoi të përplasë me automjet katër persona pas një konflikti të çastit.

Sipas organit të akuzës, i dyshuari ndodhej nën efektin e alkoolit kur, pas përplasjes verbale me disa persona, hipi në automjet dhe drejtoi mjetin në drejtim të tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Fillimisht, ngjarja ishte referuar nga policia si aksident rrugor. Megjithatë, hetimet e mëvonshme dhe analizimi i provave kanë ndryshuar rrjedhën e çështjes. Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave ka luajtur edhe një video e publikuar në media, e cila dokumenton momentin e incidentit dhe ka ngritur dyshime se përplasja ka qenë e qëllimshme.

Pas verifikimit të pamjeve dhe kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, Prokuroria e Shkodrës ka rikualifikuar ngjarjen dhe ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të Sibuel Durrësit për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i janë përcjellë organeve kompetente të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë penale të autorit të dyshuar.

Njoftim për media

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër urdhëron ndalimin e shtetasit Sibuel Durrësi, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, të mbetur në tentativë. Rezulton se, ky shtetas më datë 07.06.2026, pas nje konflikt, nën efektin e pijeve alkoolike, ka tentuar të përplasë me automjet disa persona, duke ju rrezikuar jetën.

Fillimisht, nga shërbimet e policisë kjo ngjarje është raportuar si aksidentale, por pas veprimeve hetimore të thelluara dhe publikimit në media të videos së ngjarjes të dalë rishtazi, nga Prokurori është urdhëruar ndalimi i shtetasit Sibuel Durrësi, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, të mbetur në tentativë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit