Transmetuar më 13-06-2026, 08:49

KORÇË – Një 29-vjeçar nga Maliqi është paraqitur mbrëmjen e së premtes në urgjencën e Spitalit të Korçës me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, të cilat dyshohet se i ka pësuar pas një incidenti me policinë greke në qytetin e Kalkidhës.

Sipas informacioneve paraprake, i riu, i identifikuar si Maldin Maxhari, është ndaluar rreth 13 ditë më parë nga autoritetet greke, pasi është dyshuar gabimisht si autor i një vepre penale. Pas verifikimeve të kryera, ai ka rezultuar i pafajshëm dhe është liruar.

Maxhari ka depozituar një kallëzim pranë autoriteteve greke, duke pretenduar se gjatë ndalimit është ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Më pas, ai është dëbuar nga territori grek dhe është rikthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, 29-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, ku po trajtohet nga personeli shëndetësor. Burime paraprake bëjnë me dije se ai mund të ketë pësuar dëmtime në brinjë dhe në shpretkë, ndërsa pritet vlerësimi i plotë mjekësor.

Ndërkohë, policia shqiptare ka marrë deklarimet e të riut lidhur me ngjarjen dhe pritet të përcaktohen hapat proceduralë që do të ndiqen në vijim. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi rrethanat e plota të incidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit