Transmetuar më 12-06-2026, 21:17

Tiranë, 12 qershor 2026 – Për ditën e 13-të radhazi, mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë, në kuadër të protestave të njohura si të “Flamingove”. Protesta ka shënuar rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes gjatë ditëve të fundit dhe ka mobilizuar një grup të gjerë qytetarësh, duke përfshirë studentë, të rinj, pensionistë, fëmijë, profesionistë, emigrantë dhe turistë.

Qëndrimet e protestuesve janë shprehur me pankarta dhe flamuj kuqezi, ndërsa thirrjet kryesore kanë qenë: “Shqipëria është e jona”, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Rama ik”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re” dhe “Ju erdhi fundi”.

Protestuesit mbajtën një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të luftës së Kosovës para nisjes së fjalimeve, ndërsa përfaqësuesja e grupit koordinues bëri thirrje për bojkot të mediave që ata i konsiderojnë “të korruptuara” dhe për bashkëpunim me mediet që ndodhen në shesh për të raportuar në mënyrë të paanshme.

Qytetarët paralajmëruan gjithashtu një tubim më 13 qershor dhe i ftuan emigrantët e diasporës të bashkohen. Një protestues theksoi rëndësinë e SPAK-ut për drejtësinë në vend dhe mbështetjen që ky organ ka nga qytetarët në hetimin e politikanëve që sipas tyre kanë keqpërdorur taksat e shqiptarëve.

Pas fjalimeve, protestuesit nisën marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit, duke përdorur thirrjen kryesore: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit