

Tiranë, 12 qershor 2026 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar për herë të parë ekzistencën e takimit të zhvilluar në Aruba, një episod që prej vitesh ka qenë objekt diskutimesh dhe spekulimesh në kuadër të hetimeve për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.
Sipas dosjes hetimore, personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti, së bashku me individë të tjerë, kanë zhvilluar takime jashtë territorit shqiptar, konkretisht në Spanjë dhe në Aruba. Po ashtu, SPAK bën të ditur se mes tyre janë zhvilluar komunikime që lidhen edhe me takime me funksionarë të lartë shtetërorë.
Megjithatë, organi i akuzës nuk ka bërë publik identitetin e zyrtarëve të përmendur në materialin hetimor.
Sipas SPAK, këto kontakte dhe veprime dyshohet se janë pjesë e një skeme të organizuar për investimin e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve në prona të paluajtshme dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
Nga hetimet ka rezultuar se disa prej personave nën hetim dyshohet se kanë ndërmarrë veprime juridike dhe transaksione të ndryshme me qëllim zhvillimin e pronave dhe sigurimin e lejeve të ndërtimit. Sipas dosjes, një pjesë e këtyre planeve është penguar për shkak të masave të sekuestrimit të vendosura nga autoritetet.
Materiali hetimor përmend gjithashtu interesimin e grupit për projekte të ndryshme zhvillimi, përfshirë edhe një projekt të njohur si “Shkolla e Biçikletave”, për të cilin, sipas komunikimeve të administruara nga hetuesit, priteshin planet e zhvillimit.
Takimi në Aruba është përmendur më herët edhe në publikime mediatike ndërkombëtare. Gazetari investigativ italian Nello Trocchia i ka kushtuar një kapitull të veçantë këtij episodi në një prej punimeve të tij, duke iu referuar dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane.
Sipas këtyre burimeve, gjatë periudhës 24–31 janar 2019, në ishullin Aruba janë zhvilluar takime mes personave që dyshohej se ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të drogës dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë po punojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në skemë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






