

Tiranë, 12 qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama u dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë protestuesve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të Partia Socialiste e Shqipërisë.
Duke iu referuar kundërshtimeve ndaj projekteve të lidhura me Sazanin dhe Zvërnecin, kreu i qeverisë ftoi qytetarët të njihen me dokumentacionin dhe proceset institucionale që, sipas tij, janë ndjekur për këto investime.
Rama deklaroi se nuk ekziston statusi i investitorit strategjik për projektin në Sazan dhe se negociatat për investimin vijojnë ende, pasi shteti shqiptar, sipas tij, po mbron interesat publike.
“Nuk ka as sot një marrëveshje për Sazanin, por një proces negociatash të zgjatura. Ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira. Ai mbetet pronë e shtetit shqiptar, ndërsa shteti synon të jetë partner në investim dhe të përfitojë nga fitimet e tij në interes të qytetarëve”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh i gatshëm për dialog mbi çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit, por përjashtoi çdo mundësi negociimi politik me protestuesit.
“Unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negocioj programin me ata që nuk më kanë votuar”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Rama akuzoi gjithashtu aktorë politikë për përfshirje në protestë, duke pretenduar se kauza mjedisore është shndërruar në një platformë politike.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që, sipas tij, janë të angazhuar sinqerisht për mbrojtjen e natyrës, të mos bien pre e interesave politike dhe të kontribuojnë në debatet për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Jam i bindur se një protestë e nisur për natyrën është kthyer tashmë në një protestë me karakter politik, gjë që është legjitime për këdo që kërkon të ndryshojë të ardhmen e tij”, përfundoi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






