

TIRANË – Biznesmeni Ilir Shtufi është arrestuar në Selanik, në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Burime nga SPAK, të cituara nga Vox News, bëjnë me dije se arrestimi është kryer në bashkëpunim me autoritetet greke, ndërsa Shtufi rezulton një nga personat e përfshirë në dosjen hetimore të operacionit të ndërmarrë këtë të premte.
Sipas hetimeve paraprake, prokuroria po verifikon dyshime për përfshirje në aktivitete kriminale dhe investime të mundshme të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale. Këto pretendime mbeten pjesë e procesit hetimor dhe ende nuk janë shqyrtuar nga gjykata.
Ilir Shtufi njihet si sipërmarrës në sektorin e ndërtimit dhe ka qenë i përfshirë në një sërë projektesh zhvillimi në Tiranë. Sipas raportimeve, ai është aktualisht i angazhuar edhe në projektin e njohur si “Mali i Tiranës”, një ndër investimet e rëndësishme urbanistike në kryeqytet.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të tjera mbi masat procedurale që do të ndiqen ndaj tij, ndërsa hetimet vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






