

PRISHTINË – NATO ka bërë të ditur se do të nisë një proces të optimizimit të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke reduktuar gradualisht numrin e trupave të angazhuara në misionin e KFOR gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas aleancës ushtarake, vendimi vjen si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.
NATO bëri të ditur se që prej janarit të këtij viti ka ndërprerë dislokimin e forcave rezervë, të cilat kishin shërbyer në rotacion të vazhdueshëm për më shumë se dy vjet në kuadër të misionit paqeruajtës.
“Kushtet ekzistuese ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, deklaroi Alexus G. Grynkewich në një njoftim të publikuar më 12 qershor 2026.
Ai theksoi se NATO dhe KFOR-i mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, duke vlerësuar progresin e bërë ndër vite në forcimin e institucioneve të sigurisë.
Nga selia e aleancës u nënvizua gjithashtu se procesi i reduktimit të trupave do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe mund të rishikohet në çdo moment nëse situata në terren ndryshon ose përkeqësohet.
Ky zhvillim përkon me 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe shënon një etapë të re në praninë e forcave ndërkombëtare në vend, gati tri dekada pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe vendosjes së misionit paqeruajtës në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






