

PEQIN – Pamje të publikuara nga gazetari Artan Hoxha kanë rikthyer vëmendjen te kushtet e qëndrimit të disa të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.
Në videon e bërë publike shfaqet një ambient që, sipas pretendimeve të gazetarit, ka shërbyer si qeli për një personazh të njohur të botës së krimit. Pamjet tregojnë një hapësirë të arreduar me elementë që dallojnë ndjeshëm nga kushtet standarde të një institucioni të vuajtjes së dënimit.
Në ambient vihen re televizor, mobilie të personalizuara, hapësirë gatimi, punime dekorative në tavan, dollapë të integruar dhe elementë të tjerë arredimi që krijojnë përshtypjen e një apartamenti të pajisur, më shumë sesa të një qelie burgu.
Sipas deklarimeve të Artan Hoxhës, qelia i përkiste një personi të përfolur për lidhje me aktivitete kriminale dhe që është përmendur ndër vite edhe në raport me çështjen e shumëdiskutuar të Ervis Martinajt. Gazetari pretendon se ai ka pasur më herët marrëdhënie bashkëpunimi me Martinajn në aktivitetet e lidhura me lojërat e fatit.
Pamjet kanë nxitur reagime dhe diskutime mbi kontrollin e kushteve brenda institucioneve penitenciare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet përgjegjëse do të japin sqarime lidhur me autenticitetin e materialit dhe rrethanat e krijimit të këtyre kushteve brenda burgut.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






