

PRISHTINË – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e hapur për komunikim dhe bashkëpunim politik në funksion të formimit të institucioneve të reja, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Duke folur për zhvillimet paszgjedhore, Kurti tha se procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar, por theksoi se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të koalicionit parazgjedhor janë fituesit e padiskutueshëm të zgjedhjeve dhe do të udhëheqin procesin e krijimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Me rastin e përmbylljes së këtij procesi do të mund të fillojmë bisedimet për hapat e ardhshëm. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë dhe do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, u shpreh Kurti.
Ai u shfaq optimist për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, ndërsa u ndal edhe te procesi i zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që parashikon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në votimin për kreun e shtetit.
“Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim, por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë”, deklaroi ai.
Deklarata e Kurtit vjen në një moment kur pritet përfundimi i procesit zgjedhor dhe nisja e konsultimeve politike për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






