

Tiranë, 12 Qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka komentuar thirrjet e përsëritura të protestuesve në bulevard, të cilët kërkojnë ndëshkimin penal të tij dhe të liderit të opozitës me parullat "Rama në burg, Berisha në burg". Gjatë intervistës së tij të fundit, kreu i qeverisë u shpreh prerë se epoka e drejtësisë popullore apo e ndëshkimeve të diktuara nga sheshet ka përfunduar.
"Nuk dua të bëj komente, por dua të say që koha kur njerëzit linçoheshin me turma ka vdekur njëherë e mirë," deklaroi Rama, duke mbrojtur parimin e funksionimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë.
I pyetur mbi kauzat sociale të ngritura nga qytetarët – si dështimi i shëndetësisë falas, mungesa e ujit dhe dritave në disa zona, si dhe rritja e shifrave të emigracionit – kryeministri hodhi poshtë pretendimet për braktisje masive të vendit. Sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën, duke dëshmuar një zbutje të tendencës së largimeve dhe një rritje të numrit të të kthyerve në atdhe. Për sa u përket shërbimeve publike, ai pranoi se shëndetësia ka ende nevojë për përmirësime, ndërsa insistoi se furnizimi me ujë dhe drita në 24 orë është në nivele historike, ndonëse mbeten ende zona specifike ku po ndërhyhet për të përmbyllur investimet.
Lidhur me pyetjen se sa kohë i duhet qeverisë për të përmbushur këto premtime pas 13 viteve në pushtet, Rama bëri të qartë se nuk ka ndërmend të ndërpresë qeverisjen përpara afatit kushtetues. Ai kujtoi se mandati i tij aktual përfundon në vitin 2029, moment kur do të bëhet bilanci i plotë dhe do të jetë sërish vota e popullit ajo që do të vendosë për të ardhmen. Në mbyllje, kryeministri theksoi se duke kthyer kokën pas në kohë, Shqipëria e sotme është në ditët e saj më të mira historike dhe garantoi se vendi do të vijojë të zhvillohet edhe më tej në vitet në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






