Transmetuar më 12-06-2026, 14:09

Tiranë, 12 Qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka komentuar përkimin në kohë të protestës qytetare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me festimet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në sheshin “Italia”.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat e opozitës dhe zërave kritikë për organizim anti-mitingu apo provokim, duke e cilësuar këtë situatë si një tregues të jetës normale demokratike.

Rama sqaroi se data e aktivitetit të Partisë Socialiste është përcaktuar muaj më parë, përpara se të niste vala e protestave në kryeqytet, duke nënvizuar se 12 qershori shënon historikisht lindjen e kësaj force politike dhe kjo ditë nuk mund të spostohej. Lidhur me orarin e përzgjedhur (ora 16:00), i cili përkon me atë të tubimit qytetar, kryeministri u shpreh se kjo lidhet thjesht me temperaturat e larta të qershorit, pasi nuk mund t’u kërkohej pjesëmarrësve të mblidheshin në pikun e diellit, duke shtuar se aktiviteti i tyre do të përfundojë mjaft shpejt.

Në lidhje me thelbin e zhvillimeve politike, kryeministri ritheksoi se qeveria nuk ka hyrë në një garë për të treguar muskujt apo se kush gëzon më shumë mbështetje në popull. Sipas tij, qeverisja bazohet mbi një kontratë serioze me votuesit shqiptarë për të çuar përpara projektin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai përfundoi duke thënë se në një shoqëri të lirë është krejtësisht normale që një pjesë e qytetarëve të zgjedhin të protestojnë, ndërsa shumica parlamentare vijon punën për jetësimin e programit për të cilin është votuar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit