

Tiranë, 12 Qershor 2026 – Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe ish-deputetja e njohur e Partisë Socialiste, Arta Dade, ka refuzuar zyrtarisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në aktivitetin festiv të 35-vjetorit të themelimit të PS-së, i cili do të zhvillohet pasditen e sotme në sheshin “Italia”. Përmes një reagimi të ashpër për gazetën “Dita”, Dade është rreshtuar hapur në krah të protestës qytetare që po zhvillohet prej 13 ditësh në kryeqytet, duke e cilësuar aktivitetin e mazhorancës si një "anti-miting" të organizuar përmes presionit ndaj administratës.
Dade theksoi se Partia Socialiste ka lindur historikisht si një avangardë e ndryshimit dhe e zërit kritik, ndërsa situatën aktuale e përkufizoi si një "tjetërsim dhe zaptim" të vlerave të së majtës nga udhëheqja e sotme. Ajo tërhoqi një paralele historike, duke deklaruar se ajo që Sali Berisha i bëri Partisë Demokratike në vitet ’90 duke e kthyer në pronë private, po përsëritet sot simetrikisht nga Edi Rama me Partinë Socialiste.
Sipas ish-zyrtares së lartë, revolta e rinisë studentore në bulevard mbart kërkesa thellësisht sociale për barazi dhe dinjitet, duke përfaqësuar pikërisht shpirtin idealist të të majtës që qeveria e sotme e ka braktisur për t’iu përkulur korrupsionit galopant, klientelizmit dhe arrogancës së pushtetit absolut. Dade kujtoi betejat e vështira të socialistëve në vitet ’92, ’94, ’97 dhe 21 Janar përballë regjimit të Berishës, duke u shprehur se është tragjike që ai sistem nuk u shkatërrua, por u betonua nga udhëheqja aktuale e PS-së.
Në deklaratën e saj, Dade nuk kurseu as kritikata ndaj ish-kolegëve dhe ish-funksionarëve socialistë që kanë pranuar të rreshtohen sot në sheshin "Italia". Ajo e cilësoi praninë e tyre si një "rënie morale" dhe pranim për t’u përdorur si dekor dhe mburojë e korrupsionit për interesa meskine e personale. Në mbyllje të reagimit të saj, Arta Dade bëri thirrje për një shkundje të partneritetit mes politikës dhe oligarkisë, si dhe për ngritjen e një platforme të re për një të majtë të rilindur me moral, integritet dhe afër qytetarëve, duke deklaruar se "ora e këtij rikthimi ka trokitur".
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






