

Vlorë, 12 Qershor 2026 – Aksioni i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Policisë së Shtetit është zhvendosur edhe në jug të vendit. Që prej orës 07:00 të mëngjesit të së premtes, dy grupe të strukturave speciale kanë zbritur në terren duke ushtruar kontrolle të rrepta në disa banesa dhe objekte në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve të para nga grupi hetimor, gjatë kontrolleve të kryera në ambientet e shenjestruara në Vlorë nuk janë lokalizuar personat që kërkoheshin nga autoritetet. Ndërkohë, operacioni është shtrirë me shpejtësi edhe në zonën bregdetare të Dhërmiut, ku agjentët e BKH-së dhe forcat e rendit po vijojnë kontrollet dhe verifikimet e mëtejshme në terren.
Këto kontrolle intensive dyshohet se janë në vijimësi të drejtpërdrejtë të mega-operacionit të ndërmarrë mëngjesin e sotëm, në kuadër të të cilit Gjykata e Posaçme ka lëshuar 20 masa sigurie për goditjen e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Ndër emrat e përfshirë në këtë dosje dhe ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste renditen edhe biznesmenë mjaft të njohur në vend, si Ilir Shtufi dhe Artur Shehu, ky i fundit me investime dhe prona të konsiderueshme pikërisht në zonën e Vlorës (Zvërnec).
Deri në këto momente, si SPAK ashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë treguar të rezervuara, duke mos dhënë detaje zyrtare mbi identitetet e plota të të shpallurve në kërkim apo rezultatet e kontrolleve në jug të vendit. Një njoftim zyrtar për shtyp pritet të publikohet pas përfundimit të të gjitha veprimeve operacionale në shkallë vendi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






