

Amsterdam, 12 Qershor 2026 – Një shpërthim i përmasave të mëdha, i ndjekur nga një zjarr shkatërrues, ka përfshirë gjatë natës një ndërtesë banimi në lagjen "Nieuw-West" të Amsterdamit. Si pasojë e ngjarjes, të paktën shtatë persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa strukturat e emergjencës vijojnë kërkimet mes rrënojave nga frika për viktima të mundshme.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat lokale, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 12:15 të mëngjesit në pjesën e strukturës që lidhet me një qendër fitnesi që operonte 24 orë. Goditja ka qenë aq e fortë sa ka shkaktuar shembjen pjesërike të ndërtesës. Dëshmitarët në vendngjarje përshkruan skena paniku, duke deklaruar se shpërthimi ngjante me një tërmet dhe u pashoqërua me britma e thirrje për ndihmë nga banorët.
Edhe pse brigada e zjarrfikësve arriti ta izolonte dhe ta shuante zjarrin në orët e mëngjesit, situata mbetet kritike pasi struktura e mbetur vlerësohet si "e paqëndrueshme". Për këtë arsye, ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga policia, qentë nuhatës, dronët dhe njësitë speciale të asgjësimit të municioneve shpërthyese, po ndërhyjnë me mjaft kujdes për të lokalizuar personat që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar.
Për shkaqe sigurie dhe për shkak se rrethanat e shpërthimit mbeten ende të paqarta, autoritetet evakuuan rreth 400 banorë nga ndërtesat përreth. Pjesa më e madhe e tyre u strehuan te të afërmit, ndërsa rreth 100 persona e kaluan natën në ambientet e vna në dispozicion nga bashkia e qytetit, e cila ka garantuar edhe akomodim në hotele për familjet në nevojë.
Ndërkohë, sa i përket zanafillës së ngjarjes, pronari i qendrës së fitnesit ka deklaruar se bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, shpërthimi ka ndodhur në katin nëntokësor të godinës, pikërisht në zonën ku ndodheshin depot, dhomat teknike dhe instalimet e ndërtesës. Hetimet nga grupi ekspertëve po vijojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një defekt teknik apo shkaqe të tjera.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






