Transmetuar më 12-06-2026, 12:17

Tiranë, 12 Qershor 2026 – Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Policinë e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Flats”, duke zbuluar tre apartamente që shërbenin si baza për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të prostitucionit. Në pranga kanë rënë tre shtetase të huaja, ndërsa dy persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shtetaset e arrestuara janë identifikuar si Kuifang Shao, 39 vjeçe dhe Wufeng Gong, 42 vjeçe, të dyja me shtetësi kineze, si dhe Thi Ngoc Linh Vo, 43 vjeçe, me shtetësi vietnameze.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy shtetaset kineze kishin marrë në dispozicion me qira dy apartamente të ndara në Rrugën e Elbasanit, të cilat i shfrytëzonin për të pritur klientë. Ndërsa shtetasja nga Vietnami ndiqte të njëjtën skemë në një tjetër apartament të marrë me qira në rrugën “Vangjush Furxhi” në kryeqytet.

Në kuadër të këtij operacioni, strukturat policore kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetas të tjerë, të cilët akuzohen për konsumim të veprës penale “Prostitucioni”.

Materialet procedurale dhe provat e grumbulluara nga puna operative i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ndjekjen e mëtejshme të çështjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit