Transmetuar më 12-06-2026, 11:51

Tiranë, 12 Qershor 2026 – Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Autori i dyshuar i ngjarjes, miku i tij i ngushtë Armand Shakaj, 41 vjeç, i cili ndodhet në arrati, dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar drejt zonës së Ibës automjetin e tij, brenda të cilit ndodhej trupi i pajetë i viktimës.

Sipas grupit hetimor, kjo manovër është kryer më 6 qershor me qëllim shmangien e kontrolleve rutinë të policisë rrugore. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ekspertët dyshojnë se trupi i Koçit është mbajtur brenda në makinë për rreth 36 orë, pasi kontaktet e tij të fundit me familjarët datojnë më 4 qershor.

Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë dijeni për krimin, duke sqaruar se Shakaj e kishte kontraktuar me pretendimin se makina kishte pësuar një defekt teknik dhe duhej dërguar pranë një servisi në zonën e Ibës.

Paralelisht, ekspertët e kriminalistikës kanë kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur peng apo është vrarë 34-vjeçari, ku kanë konstatuar gjurmë mbetjesh baruti. Këto mostra janë dërguar për ekspertizë laboratorike për të vërtetuar llojin e armës së përdorur.

Aktualisht, operacioni i Policisë së Shtetit është shtrirë në dy fronte kryesore: kërkimet intensive në terren për gjetjen e trupit të Eglant Koçit në akset Tiranë-Elbasan-Librazhd, si dhe lokalizimi i Armand Shakajt. Burime nga policia bëjnë me dije se ky i fundit po përdor metoda të sofistikuara për t’i shpëtuar drejtësisë, duke ndërruar të paktën gjashtë numra telefoni gjatë ditëve të fundit për të shmangur gjurmimin e qelizave celulare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit