

TIRANË, 12 Qershor 2026 – Ministria e Financave ka publikuar një udhëzim të ri për bastet sportive online, i cili ndalon pagesat me para në dorë dhe vendos që çdo depozitë dhe tërheqje të kryhet vetëm përmes agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë.
Sipas udhëzimit, çdo transaksion duhet të jetë i identifikueshëm dhe i gjurmueshëm në sistemet e organizatorit, të agjentit financiar dhe në Sistemin Qendror të Monitorimit Online. Fondet e lojtarëve do të mbahen në llogari të veçanta pranë agjentëve financiarë të autorizuar për shërbime bankare ose pagesash.
Organizatorët janë të detyruar të verifikojnë identitetin e lojtarëve përpara përdorimit të llogarive të lojës dhe të sigurojnë që mjeti i përdorur për pagesa të përkasë të njëjtit person. Çdo mospërputhje identiteti do të çojë në refuzimin e transaksionit dhe kthimin e shumës te mjeti origjinal i pagesës.
Depozitimet dhe tërheqjet do të kryhen vetëm me mjete pagese në emër të lojtarit, përfshirë llogari bankare, karta apo portofol elektronik. Udhëzimi ndalon kreditimin e fitimeve në llogari të palëve të treta ose në mjete pagese që nuk i përkasin lojtarit.
Gjithashtu, organizatorët duhet të identifikojnë dhe raportojnë transaksionet e dyshimta pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe të ndjekin rregullat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Fondet promocionale duhet të mbahen të ndara nga fondet reale deri në plotësimin e kushteve të përdorimit.
Udhëzimi parashikon rakordim ditor të llogarive të lojtarëve, lidhje të vazhdueshme me Sistemin Qendror të Monitorimit Online, dhe raportim mujor pranë AMLF-së me të dhëna mbi depozitat, tërheqjet, fitimet, numrin e lojtarëve aktivë dhe transaksionet mbi 1 milion lekë.
Gjithashtu, ankesat e lojtarëve duhet të trajtohen jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga paraqitja e tyre, ndërsa të gjitha të dhënat e transaksioneve duhet të ruhen për të paktën pesë vjet. Udhëzimi do të hyjë në fuqi pas 15 ditësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






