

TIRANË, 12 Qershor 2026 – Kostoja e strehimit me qira në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme për qytetarët, teksa qiraja mesatare mujore ka arritur në 721 euro gjatë vitit 2026. Të dhënat e tregut tregojnë se rritja e vazhdueshme e qirave nuk po shoqërohet nga një rritje e ngjashme e të ardhurave, duke shtuar presionin financiar mbi individët dhe familjet.
Sipas ekspertes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe drejtoreshës ekzekutive të “Colliers International Albania”, Stela Dhami, një qira konsiderohet e përballueshme vetëm kur nuk tejkalon 30% të të ardhurave mujore të familjes. Megjithatë, realiteti në kryeqytet është larg këtij standardi.
Të dhënat e përpunuara nga tregu imobiliar tregojnë se një individ me pagë mesatare bruto duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave për të përballuar qiranë mesatare mujore. Ndërsa për një pagë mesatare neto prej rreth 740 eurosh, qiraja përthith pothuajse 97% të të ardhurave mujore, duke e bërë strehimin praktikisht të paarritshëm për shumë qytetarë.
Edhe familjet me dy të ardhura nuk i shpëtojnë këtij presioni. Një familje me tre anëtarë shpenzon mesatarisht 39% të të ardhurave bruto dhe rreth 49% të të ardhurave neto vetëm për pagesën e qirasë, nivele që konsiderohen mbi kufijtë e përballueshmërisë.
Përveç kostove të larta të banimit, familjet shqiptare vazhdojnë të përballen edhe me shpenzime të konsiderueshme për ushqime. Sipas të dhënave të fundit, ushqimi zë rreth 40% të buxhetit familjar, shumë më tepër se mesatarja e Bashkimit Europian.
Ndërkohë, çmimet e qirave vijojnë të mbeten të larta në zonat më të kërkuara të Tiranës. Apartamentet 1+1 pranë stadiumit “Dinamo” jepen me qira deri në 1,000 euro në muaj, ndërsa në zonën e Liqenit çmimet arrijnë deri në 1,500 euro. Rritje janë regjistruar edhe në Komunën e Parisit dhe Rrugën e Kosovarëve, ku qiratë për apartamente të ngjashme kanë prekur nivelin e 900 eurove.
Agjentët imobiliarë vlerësojnë se një nga faktorët kryesorë të shtrenjtimit të qirave është zgjerimi i tregut të qirave afatshkurtra përmes platformave turistike. Vetëm në Tiranë, numri i apartamenteve të listuara në platforma si Airbnb është rritur nga rreth 1 mijë në vitin 2021 në mbi 5,200 në vitin 2025, duke reduktuar ofertën për qira afatgjata dhe duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet.
Ekspertët paralajmërojnë se pa rritje të të ardhurave dhe pa masa që balancojnë ofertën me kërkesën, strehimi me qira do të mbetet një nga sfidat kryesore ekonomike për familjet shqiptare edhe gjatë viteve në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






