

Tiranë – Në ditën e 12-të të protestës qytetare, pankartat e mbajtura nga pjesëmarrësit kanë vijuar të përcjellin mesazhe të forta me ngjyrime humori, ironie dhe kreativiteti, duke u kthyer në një prej elementeve më karakteristike të tubimeve të zhvilluara në kryeqytet.
Protestuesit kanë artikuluar qëndrimet e tyre përmes sloganeve dhe pankartave satirike, të cilat lidhen si me situatën politike në vend, ashtu edhe me fenomene sociale si emigracioni masiv i shqiptarëve.
Në një prej momenteve simbolike të protestës para Kryeministrisë, janë vendosur pesë karrige bosh me mbishkrime që simbolizojnë largimin e qytetarëve nga vendi, me destinacione si “Ikur në Greqi”, “Ikur në SHBA”, “Ikur në Kanada” dhe vende të tjera, duke reflektuar fenomenin e emigracionit.
Në pankartat e shfaqura gjatë marshimit është vënë re edhe përdorimi i humorit politik dhe referencave aktuale, përfshirë edhe futbollin dhe Botërorin. Në një prej tyre shkruhej me ironi: “Do të ulet numri i protestuesve sepse filloi Botërori, por ne jemi me Italinë or budallenj”, një mesazh që u prit me reagime të ndryshme nga të pranishmit.
Pankartat kanë vijuar të jenë një nga elementët më të spikatur të protestës, duke kombinuar mesazhe politike me simbolikë sociale dhe referenca të përditshmërisë, ndërsa tubimet vijojnë prej ditësh në kryeqytet.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






